Ballina BreadCrumbTrailer Kryeministri BreadCrumbTrailer Biografia e Kryeministrit

Biografia e Kryeministrit - Isa Mustafa

Isa Mustafa, ka lindur më 15 maj 1951 në Prapashticë, komuna e Prishtinës, i martuar me Qevsere Mustafën, ka një vajzë, Afërditën dhe dy djem, Arbenin dhe Besnikun. Jeton në Prishtinë nga viti 1956.
 
Ka doktoruar në shkencat ekonomike, është profesor i rregullt i Universitetit të Prishtinës dhe anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
 
Dy mandate ka qenë Kryetar i Prishtinës, gjatë periudhës 2008-2013, ndërkaq në periudhën 2006-2008 ka qenë këshilltar i lartë për ekonomi i Presidentit të Kosovës.

Pas lufte ka punuar si profesor në Universitetin e Prishtinës, ka  qenë nënkryetar i Institutit për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”, anëtar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, anëtar i Bordit të Bankës Qendrore dhe anëtar i Bordit të Universitetit Amerikan. Ka botuar një mori punimesh shkencore dhe profesionale në vend dhe në revistat ndërkombëtar nga fusha e menaxhmentit financiar, mikroekonomisë, lidershipit në ekonomi, politikave fiskal dhe politikave zhvillimore sektoriale.
 
Në vitin 1990 është ndjekur nga pushteti serb dhe në ekzil  ka qenë Ministër i Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë të Republikës së Kosovës, e cila ka vepruar në shtetet perëndimore deri në çlirimin e vendit, më 1999. Si Ministër i Financave ka organizuar sistemin e financimit të  arsimit dhe të  institucioneve pluraliste të Kosovës, të prira nga Presidenti dr Ibrahim Rugova, të cilat i kanë bërë rezistencë pushtetit serb.

Para  kësaj periudhe ka punuar si mësimdhënës në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, katër vjet ka udhëhequr me ekzekutivin e Komunës së Prishtinës dhe rreth tre vjet ka qenë drejtor i Entit për Zhvillim të Kosovës.
 
Në nëntor të vitit 2010 është zgjedhur Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në këtë  cilësi ka dhënë kontribut të veçantë në reformimin dhe në anëtarësimin e LDK-së në familjen e Partive Popullore Evropiane, EPP.
 
Më 9 Dhjetor 2014 është zgjedhur Kryeministër i Republikës së Kosovës, mbi bazën e koalicionit qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës – PDK dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës - LDK.


Prapa

Agjenda ditore

28 prill 2015

Kryeministri Isa Mustafa, pret në takim ministrin e Jashtëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

VENDI: Ndërtesa e Qeverisë
KOHA: 17:15
 
Pas takimit, kryeministri Isa Mustafa dhe ministri Frank-Walter Steinmeier, do të mbajnë një konferencë për medie. 

Shkruaj Kryeministrit