Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës

shkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madh

Prishtinë, 12 qershor 2012


Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen e vetë të  rregullt, nën drejtimin  e kryeministrit Hashim Thaçi, në të cilën ka miratuar vendime nga fushat e saja të përgjegjësive ligjore dhe Kushtetuese.

Fillimisht, kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur falënderimin për angazhimin e kabinetit qeveritar për kryerjen e detyrave dhe obligimeve në kuadër të përmbylljes së suksesshme të procesit të pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën. Kryeministri Thaçi ka shprehur bindjen e tij se edhe institucionet tjera do të përmbushin obligimet e tyre për përmbylljen e suksesshme të këtij procesi.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka informuar kabinetin qeveritar për procesin e përgatitjes së përgjigjeve në pyetësorin e Komisionit Evropian për Studimin e fizibilitetit. Përgjigjet nga institucionet kosovare janë dorëzuar me 8 qershor, ndërsa nga java e ardhshme pritet që në Kosovë të qëndrojë një mision faktmbledhës nga Komisioni Evropian.

Qeveria ka aprovuar vendimin për propozimin e amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me qëllim të përfshirjes së të drejtës për amnistinë në kushtetutë. Kjo do të mundësonte edhe nxjerrjen e ligjit për amnistinë në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e Programit Legjislativ për vitin 2012, sipas të cilit do të shtohen për hartim gjatë këtij viti disa projektligje e disa tjera do të hiqen nga ky program.

Edhe Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2012, ka marrë dritën e gjelbër në këtë mbledhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar rekomandimin e Komitetit Qeveritar për Privatizimin e Kompanisë Kosovare të Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike. Sipas këtij Rekomandimi, konsorciumi Limak&Çalik, është shpallur fitues në tenderin për privatizimin e kësaj kompanie. Ky konzorcium ka ofruar 26.3 milion për kompaninë dhe ka premtuar rreth 200 milion investime në kompani për periudhën afatmesme.

Qeveria ka miratuar edhe koncept dokumentin për hartimin e Projektligjin për Dërgimin e Kontingjenteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si dhe ka miratuar vendimin për pranimin  e ftesës nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë për pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në manifestimet për shënimin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Është aprovuar edhe Rregullorja për procedurat e blerjes dhe marrjes me qëra të objekteve për misione diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Komitetit Drejtues Ndërministrorë për zhvillimin e Projektit “Rruga 6”, autostrada Prishtinë-Hani i Elezit. Në këtë komitet do të bëjnë pjesë Ministri i Infrastrukturës, Ministri i Financave, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Plani Vjetor i Punës për statistikat zyrtare për vitin 2012 dhe Udhëzimi Administrativ për etiketimin e pajisjeve që shfrytëzojnë energji. Është aprovuar edhe vendimi për detyrat dhe përgjegjësit e Koordinatorit për të Drejtat Pronësore.

Qeveria ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për Këshillin Kombëtarë për Zhvillim Ekonomik, në përbërjen e të cilit do të jenë edhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë si dhe përfaqësues i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

 

Prapa