Ballina BreadCrumbTrailer Lajme

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Forumin Ekonomik në Budapest

shkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madhshkarko me rezolucion më të madh

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Forumin Ekonomik në Budapest/Hungari
 
Prishtinë, 13 qershor 2012
 
I nderuari Kryeministër Orban;
E nderuara Zv. Kryeministre Kusari-Lila;
I nderuari Ministër Beqaj;
Të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit hungarez dhe kosovar; 
Të nderuar pjesëmarrës;

 
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim si Kryeministër ju uroj mirëseardhje në këtë Forumin Ekonomik.
 
Kam kënaqësinë e veçantë që në këtë forum t’ju prezantoj të arriturat e Qeverisë së Republikës së Kosovës në funksion të fuqizimit të sektorit privat.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës është e vetëdijshme për rëndësinë që Investimet e Huaja kanë për stimulimin e zhvillimit të Sektorit Privat.
 
Investimet e huaja kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik në shumë shtete, sidomos në shtetet në tranzicion.
 
Prandaj, Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të prioriteteve strategjike ka identifikuar Zhvillimin e Sektorit Privat si gjenerator të aktiviteteve afariste, ndërsa investimet e huaja i konsideron si kontribuues të rëndësishëm në këtë drejtim.
 
Faktorët kyçë në vendimin për investime të huaja konsiderohen stabiliteti politik, stabiliteti makroekonomik, përmirësimet në infrastrukturë, përmirësimet në infrastrukturën ligjore, si dhe bashkëpunimi me vendet tjera.
 
Ekonomia e Republikës së Kosovës ka qëndruar shumë e fortë gjatë kësaj periudhe krize të ekonomisë ndërkombëtare. Në tri vitet e kaluara, zhvillimi makroekonomik ka qenë stabil, me një rritje ekonomike rreth 5 %.

Kjo falë politikave të matura makroekonomike dhe makrofiskale të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
 
Republika e Kosovës është anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Përveç kësaj, ne jemi duke punuar shumë që sa më shpejt të bëhemi anëtarë edhe të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
 
Si rezultat i nënshkrimit të marrëveshje mbi masat preferenciale, bizneset që operojnë në Republikën e Kosovës përfitojnë nga masat preferenciale me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Po ashtu, bizneset që operojnë në Republikën e Kosovës përfitojnë nga vendosja e marrëdhënieve bilaterale me disa shtete për evitimin e tatimeve të dyfishta. 
  
Qeveria e Republikës së Kosovës ka realizuar me sukses aktivitete tjera që kanë ndikuar në përmirësimin e klimës investive.
 
Që nga viti 2009, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndryshuar politikën tatimore në favor të komunitetit të biznesit, duke përgjysmuar normën e tatimit në fitim.
 
Kemi përmirësuar efikasitetin e shërbimeve të Administratës Tatimore, duke digjitalizuar shumicën e shërbimeve për komunitetin e biznesit. 
 
Jemi në përfundim të realizimit dhe së shpejti do të fillojmë me projekte të rejat kapitale me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore.
 
Ne kemi investuar edhe në sistemin e arsimit duke realizuar investime në infrastrukturë dhe tashmë jemi të fokusuar në përmirësimin e cilësisë së arsimit formal dhe atij profesional. E tërë kjo me qëllim të përshtatjes së kurikulave me kërkesat e tregut.   
 
Qeveria e Republikës së Kosovës përmes Reformës së Të Bërit Biznes është përkushtuar që të bëjë edhe më shumë për krijimin e një mjedisi afarist stabil dhe të sigurt.
 
Në kuadër të kësaj Reforme, është duke u punuar në përforcimin e ekonomisë së lirë të tregut, infrastrukturës ligjore, si dhe në stimulimin e kalimit nga ekonomia joformale në atë formale.
 
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Më lejoni të ritheksoj shkurtimisht arsyet për të cilat ia vlen të investohet në Republikën e Kosovës.
 
Këto janë:
-          Fuqia punëtore e re, entuziaste dhe e gatshme për të përvetësuar njohuri dhe shkathtësi të reja; kjo dëshmohet sidomos me rritjen e numrit të atyre që vazhdojnë me arsim të lartë brenda dhe jashtë vendit;
-          Politika e favorshme fiskale;
-          Masat Preferenciale me BE dhe me SHBA
-          Marrëveshjet për Tregti të Lirë, siç është CEFTA
-          Resurset natyrore, sidomos ato në fushën e energjetikës dhe të minierave;
-          Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike e së shpejti edhe i disa pjesëve të ndërmarrjeve  shoqërore;
-          Kërkesa e lartë e tregut për produkte dhe tregu në rritje;
-          Qasja e shpejtë në tregjet rajonale dhe evropiane e mundësuar nga pozita gjeografike e Republikës së Kosovës;
 
Unë do të përmend edhe disa shembuj të investimeve të suksesshme të huaja në Kosovë.
 
Këto janë:
 
Kompania e telekomunikacionit dhe shërbimeve të internetit IPKO, Limak-De Lion që ka marrë në koncesion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Bankat Komerciale dhe Kompanitë e Sigurimeve, Kompania për procesimin e gjysmë-produkteve nga zinku dhe bakri, Llamkosi, Ferronikeli, Bechtel-Enka dhe të tjera.
 
Investitorët ekzistues janë të përqendruar në zgjerimin e bizneseve të tyre. Arsyet kryesore për këtë konsiderohet të jenë kërkesa e lartë e tregut, rritja e tregut dhe pozita gjeografike.
 
Republika e Kosovës ka nevojë për investime dhe njëkohësisht, ofron mundësi dhe përkrahje institucionale për investitorët.
 
Prandaj, që ju të bindeni për mundësitë e investimit në Kosovë si dhe për arsyet pse duhet të investohet në Kosovë, ju ftoj që të vizitoni Kosovën, të takoheni me bizneset kosovare, me shoqatat afariste, si dhe me institucionet përkatëse.
 
Ju falënderoj shumë për prezencën tuaj dhe interesimin tuaj për të investuar në Republikën e Kosovës. 
 
Ju faleminderit për vëmendjen!

Prapa